Harta Moti Imazhe satelitare
Stacione Webcams
Më të larta Më të ulta
 
Durrës 14 Peshkopi 4
 
Fier 14 Kurbnesh 4
 
Patos Fshat 14 Bulqizë 4
 
Roskovec 14 Fushë-Arrëz 5
 
Vlorë 14 Ersekë 5

Parqet Natyrore

01-06-2013

Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë. Këto zona mbrohen nga shteti. Fillimet e zonave të mbrojtura kanë nisur që në vitin 1940 me shpalljen ose krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë Kune-Vain-Tale në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit në Berat.


Lumi Osum dhe Kanionet
Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato jane formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë.Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.Ka hamendje se kanionet kanë shërbyer kohë më parë si nënkalime mbi lumin e Corovodës, por me kalimin e shekujve, tavanet e nënkalimeve nënujore janë shembur duke nxjerrë dhe formëzuar një tjetër reliev, sot këtë kanion.Ne gjirin e këtij kanioni, që përshkrohet nga lumi Osum, në të dy krahët e tij rrjedhin ujvara nga fshatra të ndryshem, të cilat kalojnë në një sistem shkëmbor. Kanioni si origjinë, më i madhi në Shqipëri, është ndër me fantastikët ne Europë, i karakterizuar kështu dhe nga studiuesit europiane, gjeografë që kanë ardhur në zonë. Ky kanion ka bukurinë mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelberimi në të dy krahët gjatë shpateve të kanionit, është i përhershëm. Shkurre mesdhetare me bimësi si marja, shqopa etj me nje botë të pasur të gjallë dhe peshq të kategorive nga më të ndryshme të ruajtura në themelet e lumit Osum. Në shpatet e të dy krahëve të kanionit, veprimtaria erozive e faktorëve te jashtëm ka krijuar një sëre shkëmbinjsh, nga më të rrallët të gjendur në kanionet shqiptare.
Për luginën e Osumit, banorët rrëfejnë shumë legjenda, të cilat vijnë nga shumë vite larg...duke filluar me Mullirin e Babait, Vrima e Nuses dhe Shenjtori Abaz Aliu...shumë interesante për cdo vizitor.
Në Kanionet e lumit Osum, ndodhen 6 ngushtica, ku kanioni në shtratin e lumit merr nje ngushtësi deri në 1.5 m, ndërsa hapësira lart në sipërfaqe shkon deri në 35 m. Përvec tyre, te kanionet ndodhet Katedralja, Syri, Porta e Djallit...Gërryerjet ndër vite i kanë dhënë formën e ngrehinës natyrore të kultit. Të ndërtuara për të qënë një bukuri dhe thesar i mbarë njerëzimit, nëpërmjet mrekullisë krijuese të mjeshtrit më të madh të kohërave, natyrës, kanionet e Osumit bëhen emocionuese në cdo moment, në cdo kohë dhe magjia të mbërthen që në sekondën e parë që i sheh, duke të bërë pre të dashurisë së përjetshme.
Eshtë tepër e vështirë, herë e pamundur për të përshkruar ato emocione që përjeton duke i parë dhe prekur dhe ndoshta është e pabesueshme por është e vërtetë që takimi me to të ndryshon jetën.
Pamja që të ofrojnë ato kur i sheh nga sipër është padiskutim marramendëse, por ajo cka ti prek kur futesh mes tyre dhe shëtit, të bën të mendosh se je në një përrallë, në një vend-ëndrrash...


Lugina e lumit të Gashit
Kjo zonë ndodhet në rrethin e Tropojës  dhe përfshin zonën e skajit më verilindor të Shqipërisë, në pikën më  të lartë të kufirit midis Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Lugina e lumit të Gashit, i cili derdhet në Valbonë, fillon nga zona akullnajore e Dobërdolit.
Gjatë rrjedhjes së saj kjo luginë shquhet për bukurinë natyrore, mbasi ajo kalon një sërë ngushtimesh e zgjerimesh duke krijuar trajta mjaft tërheqëse.
Në njërin prej segmenteve të saj, lugina ngushtohet aq shumë, sa merr formën e një kanioni të ngushtë.
Shpatet e luginës janë të veshura me pyje dushku, ahu  dhe sidomos me halorë. Kjo zonë është strehë edhe për kafshë të egra si ariu i murrmë, dhia e egër, ujku, ketri, shqiponja e malit etj.
Zona e luginës së lumit të Gashit shquhet për reshjet e dendura të dëborës. Një ndër atraksionet më të bukura të kësaj zone janë edhe prezenca e kompleksit të liqeneve akullnajore të Dobërdol - Sylbicës, ku gjenden 8 liqene të tilla.


Biza
Pika malore e Bizës, gjendet në rrethin e Tiranës, në komunën e Shën Gjergjit. Largësia nga kryeqyteti është 85 km. Për të shkuar atje ndiqet itinerari Tiranë-Linzë-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Bizë.  Ajo është një fushë karstike e ndodhur në skajin juglindor të malit me Gropa. Fusha e Bizës shtihet në lartësinë 1.200 metra mbi nivelin e detit. Ajo është 4 km e gjatë dhe 2 km e gjerë. Ky është një vend mjaft  i këndshëm dhe me ajër të pastër. Fusha rrethohet nga shpate mali të thepisura sidomos nga krahu juglindor dhe veri perëndimor. Në perëndim fusha ka forma të zhvillimit të fenomeneve karstike.
Fusha e Bizës përshkohet nga lumi me të njëjtin emër, i cili më pas zhduket brenda një shpelle karstike pranë fshatit Val.
Zona e Bizës është e pasur me pyje të shumta, sidomos të dushkut dhe ahut. Në këtë zonë gjejnë strehë kafshë të egra si ariu i murrmë, ujku, dhitë e egra, dhelpra, lepuri i egër, derri i egër, lakuriqet e natës, skifteri etj. Zona karakterizohet nga reshje të konsiderueshme dëbore gjatë stinës së ftohtë.
Biza ka shërbyer edhe për shfrytëzimin e lëndës së drurit. Gjithsesi ajo ofron kushte mjaft të favorshme natyrore edhe për organizimin e aktiviteteve turistike ku mund të përmendim turizmin me çadra gjatë stinës së ngrohtë, skitë në pistat natyrore, speleologjine në shpellën e Valit etj. Zona e Bizës përbën një park natyror, e cila ka statusin e zonës së mbrojtur me një sipërfaqe prej 1.370 hektarë.

Rrajca
Zona e mbrojtur e Rrajcës ndodhet në rrethin e Librazhdit. Format glaciale ku gjendet Rrajca janë të vendosura në shpatin verior e lindor të malit të Shebenikut ku gjendet kompleksi i cirqeve akullnajore të Rrajcës. Në këtë cirk akullnajor janë katër liqene akullnajore, të cilët përbëjnë një atraksion natyror për tu vizituar. Këto liqene kanë një gjatësi mesatare prej 100 metrash dhe një gjerësi mesatare prej 80 metrash. Ato gjenden të vendosura në lartësinë 2.200 metra mbi nivelin e detit. Për të arritur në këto liqene, duhet ndjekur rruga automobilistike e asfaltuar Përrenjas - Rrajcë dhe më pas, nga fshati Rrajcë  për tek liqenet rruga bëhet në këmbë.

Lagunat e Kune - Vainit
Ky sistem lagunor dhe njëkohësisht zonë e mbrojtur gjendet në grykëderdhjen e lumit Drin. Këtu ka shumë shpendë ujorë dhe gjenden dy laguna, ajo e Cekës me sip 235 ha dhe e Merxhanit 77 ha.  Surpriza më e këndshme për turistin është ishulli ranor i Kunes me një sip prej 125 ha në të djathtë të deltës së Drinit. Ishulli i Kunes është i mbuluar me një bimësi të harlisur hidrofile. Aty rriten shkurre të gjelbërta mesdhetare, liane, shelgje, Frashëri etj. Në këtë rajon njihen 227 lloje bimësh. Përsa i takon faunës nga shpendët përmendim rosat e egra, fazanët, qukapikët, karabullakët, çapkat, rosën e madhe krye kuqe etj. Mjafton të themi se në këtë sistem lagunor gjenden 70 lloje shpendësh, 22 reptilë nga 33 që ka Shqipëria dhe 6 lloje amfibësh nga 15 që ka Shqipëria dhe disa lloje gjitarësh. Aktivitet kryesore që mund të zhvillohen janë observimi i shpendëve dhe eko turizmi.

akt.gov.al

 

më shumë »